Historia
Emri Nerasht rrjedh prej fjalës ilire Narest, që paraqet antroponim ilir. Më vonë fjala Narest do të zëvendësohet me fjalën Nerast, që më vonë do të lind fjala Nerasht.
Lidhur me këtë vlen të shtohet se dukuria e ndërimit të “s” me “sh” është dukuri e përgjithshme e gjuhës shqipe, për këtë dëshmojnë edhe toponimet e njohura Skupi-Shkupi, Astibo-Shtipi, Skodra-Shkodra etj.
Nerashti është vebanim shumë i vjetër në Pollog. Jovan Trifunovski në veprën e tij “Pollogu i Poshtëm” (fq.307,308 dhe 309) shkruan se “Nerashti përmendet në vitin 1308, kur mbreti serb kral Millutini ia dhuron manastirit të Shën Nikitit të Shkupit”. Po në këto faqe të këtij libri, Nerashti përmendet në vitin 1461-62, në një aktgjykim në të cilin vërtetohet vakëfi i Mehmet Begut në Tetovë. Në aktgjykim thuhet se një tokë e dhuruar bujqësore që ka kufijë “prej Nerashtit në rrugën që çon për në Shkup” dhe rrugën që çon “prej fshatit Pobreg në fshatin Nerasht” dhe në burimin e tretë të vitit 1470 citohet “rruga që çon prej Sobrit në Nerasht”.
Në dokumentet turke të vitit 1468, përkatësisht në defterët e kadastrave ose tapitë osmane “ Tapia e Turkut”, (D.Turke fq.325), fshati Nerasht përmendet në shekullin XV (1467-1468) – Nerashti përmendet që ka pasur 32 familje në atë kohë. Sipas hulumtimeve në terren, lagja më e vjetër është Shukerja. Të parët sipas kësaj lagje janë familja e Zymerëve. Që lagja e Shukeres të jetë lagja më e vjetër ka shumë indikacione, për ç’ka dëshmon vendi ku ka qenë një kishë e vjetër e të parëve tanë. Në lindje të lagjes Shukere, në kodrinë kanë qenë këmbanarja dhe varrezat. Sot prej kishës së dikurshme nuk ka gjurmë, por janë gjetur shumë varre gjatë gjërmimeve në vitin 1999. Burimet shkencore për lashtësinë e Nerashtit janë të pakta, por në bazë të disa prej tyre, familja më e vjetër është familja Lala që jeton në lagjen Miftare.
(Jovan Trifunovski-“Pollogu i poshtëm”).